Thursday, March 7, 2013

Si tallej diktatori me fëmijët e Beratit dhe gjithë Shqipërisë















Fëmijët e vitit 1967 në Berat sot janë burra e gra në moshë të mesme, familjarë të mirë e qytetarë të ndershëm dhe mund t’i kenë harruar ditët kur u kthyen në instrument propagande nga diktatura.


Ka shumë vetë që sot mundohen të justifikojnë veprimtarinë e tyre ose të tjerëve në shërbim të diktaturës, duke thënë se ashtu ishte sistemi, në përpjekje për të relativizuar krimin, për ta bërë atë më të pranueshëm, të shpëtojnë qoftë edhe nga përgjegjësia morale. Mirëpo, krimi është krim dhe ai duhet ndëshkuar, të paktën moralisht, në çdo kohë.
Shfrytëzimi i minorenëve në punë nga diktatura ishte një krim dhe si i tillë duhet trajtuar. Fëmijët e shkollave tetëvjeçare, të cilët diktatori i nxiste të shkonin në punë (pa shpërblim) ishin të moshës 9-14 vjeç. Duke iu referuar kodit të punës së viteve të periudhës së komunizmit, fëmijët mund të punonin që në moshën 15 vjeç, deri në 6 orë. Letrat që botojmë sot, tregojnë që fëmijët punësoheshin nën moshën e pranuar si ligjore dhe nga vetë regjimi.
Në rastin në fjalë, letra u drejtohet fëmijëve të Beratit, por ai është mësim për të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Enver Hoxha shkruan me pretekstin se gjoja ka marrë vesh që fëmijët e Beratit kanë bërë punë vullnetare, por në fakt, lajmi që ai ka marrë vesh, u bë publik në gazetë po atë ditë. Duket sikur lajmi ka qenë pjesë e një skenari të parapërgatitur.
Po të lexohet lajmi (Dokumenti 2), ai duket që nuk është lajm, por një udhëzim se si duhet të veprohet në të gjitha rrethet, që pionierët të kalojnë kohën e lirë të tyre duke u marrë me gdhendjen e gurit. Aty jepet, tërthorazi, këshilla që BRPSH e rrethit (organizata e rinisë) të merret me organizmin e nxënësve në aksione, thuhet gjithashtu si duhet të ndahen nxënësit, kush duhet t’i furnizojë me material etj. Letra është botuar në gazetën “Zëri i rinisë”, marrë nga ATSH-ja.
Fill pa letrës, tri ditë më vonë, në të njëjtën gazetë u botua lajmi, pritja që iu bë nga pionierët e Beratit letrës së diktatorit. Lajmi nga nënshkrimin S(ulejman). Mato.
Pas letrës për fëmijët e Beratit, siç tregojnë letrat e tjera të botuara, fëmijët filluan t’i shkruanin diktatorit nga të gjitha anët për punën që bënin, në vend që të shkonin në shkollë dhe të jetonin si fëmijë.
Në letrën e fëmijëve të Korçës gjendet edhe një gjurmë e hershme e fillimit të veprimtarisë së mbledhjes së hekurishteve për skrap, që në ditët e sotme është shfaqur si problem shqetësues shumë herë, sepse ushtruesit e tij dëmtojnë objekte të ndryshme.

Dokumenti 1
Letër e shokut Enver Hoxha drejtuar pionierëve të qytetit të Beratit

Të dashur pionierë,
U gëzova pa masë sot kur mora vesh se Ju, të dashur djem dhe vajza të shkollave tetëvjeçare të qytetit, u organizuat, u armatosët me çekiçë e me dalta dhe, nën drejtimin e mësuesve e gurgdhëndësve pensionistë, filluat të ndërtoni në kohën Tuaj të lirë kalldrëmet e qytetit.
Ju lumtë! Ju mësoheni që të vegjël të ecni në rrugën e muratorëve e gurgdhëndësve të lavdishëm të vendit tonë që shekuj me radhë e deri më sot kanë ushtruar një nga mjeshtëritë, një nga artet më të mrekullueshëm të njerëzimit. Veprat e këtyre baballarëve, gjyshërve e stërgjyshërve tonë janë të pavdekshme, ne i shohim ato kudo në vendin tonë dhe i admirojmë, sidomos në qytetin Tuaj muze. Ju e filloni me gurët e kalldrëmeve dhe me këtë do t’ju ngjallet një dashuri e madhe për gurin, me të cilin do të bëni vepra të mëdha e të mrekullueshme për vendin. Në gur, si gjatë gjithë historisë së njerëzimit, Ju do të fiksoni për jetë veprën madhështore të Partisë dhe të popullit tonë.
Unë i kam dashur, i dua dhe i respektoj shumë muratorët dhe punonjësit e gurit, prandaj vij sot tek Ju, të dashur të vegjël dhe vogëlushë, t’Ju përqafoj dhe t’Ju puth me dashuri që muarët këtë inisiativë kaq të mirë. Ju siguroj se kur të vi në Berat, gjëja e parë që do të bëj, është të piqem me Ju dhe të shoh punën Tuaj.
Ju puth me mall të gjithëve, ENVER.

Tiranë, 27.1.1967

Dokumenti 2
DY AKSIONE TE PIONIERËVE TË BERATIT

Këto ditë pionierët e Beratit janë hedhur në dy aksione në grumbullimin e hirit dhe në mirëmbajtjen e rrugëve e rrugicave të lagjeve të qytetit. Aksioni i parë nuk është i panjohur për ta, ai është shpallur me kohë dhe nxënësit e disa shkollave si të asaj 8 vjeçare “24 Maji” etj. ka-në grumbulluar disa kuintalë hi. Por këtë herë problemi ngrihet më me forcë dhe pionierët janë të vendosur për ta çuar deri në fund detyrën. Grumbullimi i hirit po bëhet nën drejtimin e udhëheqësve të pionierit, kurse ndërmarrja komunale ka vendosur në pika kryesore të lagjeve kazanë, krahas atyre të plehrave.
Kohët e fundit aksioni është shtrirë edhe te nxënësit e fshatit, si në kooperativën bujqësore të Starovës, etj.
Aksion i ri dhe interesant është ai i gurë-skalitësve të vegjël shkollarë për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit muze. Këtë inisiativë të marrë nga nxënësit e shkollës 8-vjeçare “7 Nëndori” në Berat komiteti i BRPSH filloi ta përgjithësojë në një mbledhje të organizuar ditët e fundit me udhëheqësit e pionierëve të shkollave dhe të ftuar të tjerë. Çdo shkollë ka bërë ndarjen e nxënësve në kompani pune, të cilat drejtohen nga udhëheqësit e pionierëve të shkollave dhe instruktorë të shtëpisë së pionierit. Ndërmarrja komunale po bën furnizimin me gurë dhe rërë, kurse ofiçinat e ndërmarrjeve kanë plotësuar kërkesat për çekiça e dalte për mjaft shkolla. Aksionin e ka filluar çdo shkollë. Në ndihmë të pionierëve kanë shkuar edhe pensionistët muratorë të lagjeve, të cilët si mësues të dashur po drejtojnë e udhëzojnë gurëskalitësit e vegjël, pasardhësit e denjë të tyre, për rregullimin, mirëmbajtjen e zbukurimin e rrugëve të qytetit.

(Sipas ATSH-së)

(Zëri i rinisë, 28 janar 1967)

Dokumenti 3
PIONIERET E BERATIT PRITEN ME GEZIM TE MADH LETREN E SHOKUT ENVER

Letrën e shokut Enver Hoxha, drejtuar gjithë pionierëve të qytetit të Beratit, shumica e pionierëve të shkollës “Kristaq Capo” në Kala e dëgjuan në emisionet e radios që në mbasditën e 27 janarit. Ajo mbrëmje për pionierët e lagjes Kala ishte e mbushur me një emocion të papërshkrueshëm. Shoku Enver përgëzonte pionierët e Beratit për inisiativën e marrë në rregullimin e kalldrëmeve dhe në mësimin e mjeshtërisë së skalitjes së gurëve. Një pjesë të asaj përshëndetjeje udhëheqësi i dashur ua drejtonte edhe pionierëve të shkollës “K. Capo” pionierëve të kalasë së lashtë.
Të nesërmen në mëngjez në obo-rrin e shkollës kishte gjallëri të madhe. Pionierët grupe-grupe shpërndanin lajmin e madh të përshëndetjes së inisiativës së tyre.
Letra e shokut Enver u lexua nga komandantja e çetës Liljana Capo. Në përgjigje pionierët filluan të brohorasin për Partinë, udhëheqësin e saj.
- I dashur shoku Enver! – tha pionieri Kristaq Limsia, ne do ta zbatojmë patjetër porosinë tuaj, porosinë e partisë, amanetin e gjyshërve.
Në mbasditën e po kësaj dite, 27 janarit, 4 skuadrat a gurskalitësve të shkollës u nisën në drejtim të rrugicës që të çon te kisha e lashtë e Shën-Triadhës.
Në mes të tyre kishin hyrë dhe mjeshtrit gurskalitës të lagjes, pensionistët Nasi Pishka dhe Gori Pjetri. Ata gëzoheshin dhe entuziazmoheshin bashkë me nipat e tyre, pionierët e vegjël. Për ne, tha xha Nasi, është një porosi e baballarëve tanë që t’ua lemë zanatin ju, për ne kjo është një detyrë e lavdishme, që zanati ynë të bjerë në duart tuaja të sigurta.
Pionierët e shkollës, me fytyra të qeshura dhe të gëzuara filluan punën për shtrimin e rrugës së re. Disa sillnin gurë, disa shtronin çakëll. Ndrekua, Omeri, Kristaqi, Serveti, qëndronin pranë mjeshtërve gurskalitës dhe mundoheshin të përfitonin prej tyre sa më shumë.
Njëri prej tyre në punë e sipër u hodh e tha: Shokë! Unë propozoj që rrugicën e Shën Triadhës ta quajmë «Rruga Pionieri». Të gjithë e aprovuan njëzëri duke punuar më me entusiazëm.
Ata punojnë, ndërsa në vëndin e seicilit prej tyre kumbojnë të freskëta fjalët e ngrohta të shokut Enver: “Ju lumtë! Ju mësoheni që të vegjël të ecni në rrugën e muratorëve e gurgdhëndësve të lavdishëm të vëndit tonë, që shekuj me radhë e deri më sot kanë ushtruar një nga mjeshtëritë, një nga artet më të mrekullueshëm të njerëzimit…”.
“…Ju e filloni me gurët e kalldrëmeve dhe me këtë do t’ju ngjallet një dashuri e madhe për gurin, me të cilin do të bëni vepra të mëdha e të mrekullueshme për vëndin. Në gur, si gjatë gjithë historisë së njerëzimit, Ju do të fiksoni për jetë veprën madhështore të Partisë dhe të popullit tonë». Po, sa e vlerëson shoku Enver këtë fillim të tyre! Dhe ata po punojnë që të meritojnë këtë besim të madh, për t’u bërë vazhdonjës të denjë të mjeshtërve të shquar, të cilët në gurë të thjeshtë, skalitën e ndërtuan qytetin muze të Beratit.
Pionierët duke punuar vazhdonin të këndonin këngën, “Në njërën dorë kazmën në tjetrën pushkën” si një premtim të madh që u bëhej stërgjyshërve të tyre, si një premtim i madh udhëheqësit të dashur.

S. MATO
(Zëri i rinisë, 1 shkurt 1967)

Dokumenti 4
Të gatshëm për të mësuar dhe punuar si revolucionarë

Letër e pionierëve të Korçës dërguar shokut Enver Hoxha

I dashur shoku Enver!
Ne pionierë e shkollave 8 vjeçare të Korçës, të mobilizuar krah për krah me prindërit dhe vëllezërit tanë për të vënë në jetë vendimet historike të Kongresit të V të partisë, të frymëzuar nga inisiativa e pionierëve të Beratit dhe përshëndetja që Ju mësuesi, udhëheqësi dhe miku më i dashur i zëmrave tona të njoma, por revolucionare, që u drejtuar atyre, jemi mbledhur sot gjithë së bashku me kazma, lopata dhe vegla pune në duar për të filluar punën në kryerjen e aksionit për ngritjen e dy parqeve të rinj për pionjerë dhe mirëmbajtjen e lulishteve të qytetit, që partia dhe pushteti në rreth na i besuan ne fëmijëve.
Duke na siguruar drejtuesit teknikë, kryesisht pensionistë, nga të cilët ne do të fitojmë eksperiencën, dhe materialet e nevojshme nga organet përkatëse, ne zotohemi para jush i dashur shoku Enver dhe para partisë për të kryer konkretisht këto punime:
Parku i parë i fëmijëve do të jetë 4 ha dhe i dyti 2 ha. Gjithashtu do të ndërtojmë 2800 m2 rrugë kalldrëm, por duke mos lënë mënjanë aksionet e tjera mirëmbajtjen e lulishteve të qytetit, grumbullimin e hirit të zjarrit, grumbullimin e letrës dhe hekurishtave.
I dashur shoku Enver!
Ne dëgjuam në radjo, po na i lexojnë mësuesit dhe prindërit tanë fjalimin Tuaj të rëndësishëm që bajtët ditët e fundit para komunistëve të disa organizatave të partisë së Tiranës, gëzohemi që partia heroike e Shqipërisë me në krye Ju shoku Enver mendon aqë shumë për popullin dhe veçanërisht për ne filizat e kuq, që një ditë do të ritemi qytetarë të denjë të Republikës popullore të Shqipërisë, zëvëndës të denjë për ndërtimin e socializmit dhe komunizmit në vendin tonë.
Kudo që të na thëresë partia, duke mos lënë mënjanë detyrën tonë kryesore – mësimin, jemi të gatshëm të shkrijmë të gjitha forcat tona, për të mësuar dhe punuar si revolucionarë të vërtetë për të mirën e popullit dhe të atdheut tonë socialist.
Të roni sa malet i dashur mësuesi ynë i shtrenjtë shoku Enver.

NGA PIONIERËT E QYTETIT TË KORÇËS

Korçë më 8.II.1967

(Zëri i rinisë, 15 shkurt 1967)




                                                                               Çelo Hoxha
                                                                         Gazeta   Standard 


Saturday, March 2, 2013

Protokolli i Moskës: Biseda e Stalinit me jugosllavët rreth shqiptarëve





Dialogjet e mëposhtme janë nga bisedat zyrtare të protokollit më të lartë të zhvilluara në Kremlin në zyrën e Stalinit. Ajo është regjistruar gjatë takimit zyrtar të vizitës në prill 1947 të delegacionit të nivelit të lartë të Jugosllavisë nën drejtimin e numrit dy të saj, Eduard Kardel, ministrit të Jashtëm jugosllav Simiç dhe ambasadorit jugosllav në Moskë V. Popoviç. Dialogu është autentik për një rajon si Ballkani, në historinë e të cilit zëri “të fortëve” mbetet informacion…



STALIN – Po si i keni punët me shqiptarët? Hoxha sikur është ankuar për këshilltarët tuaj politikë në ushtrinë e tyre, sikur ata e dobësojnë disiplinën, apo jo?

E. KARDELI – Kjo është gjë e re për ne. Ata nuk na kanë thënë asgjë për këtë.

STALIN – Cila është origjina e shqiptarëve?

E. KARDELI – Ata janë pasardhës të ilirëve.

STALINI – Më kujtohet se Tito më ka thënë se ata janë si puna e baskëve.

E. KARDELI – Kjo është e vërtetë.

S.SIMICI – Ka të dhëna që thonë se shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Disa fjalë prej tyre vërtetojnë se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja. Fjala e tyre “Afrodita” është huazuar nga gjuha shqipe. Në gjuhën greke kjo nuk ka kuptim.

STALINI – Ky popull ka mbetur shumë mbrapa në zhvillim.

POPOVICI – Shqiptarët janë shumë trima dhe njerëz besnikë.

STALINI – Të tillë kanë qenë tek ne cuvashët. Carët rusë i merrnin ata në gardën personale.

E. KARDELI – Tek ne, në territorin e Kosovës dhe Metohisë edhe sot jetojnë më shumë shqiptarë se sa serbë. Ne mendojmë, që më vonë, kur të vendosim lidhje më të ngushta me shqiptarët, këto territore t’ua japim atyre.

STALINI – Po si janë ndodhur shqiptarët në këto territore?

E. KARDELI – Janë vendosur në këtë krahinë në kohën e turqve. Ndërsa një pjesë e popullsisë është asimiluar.

STALINI – Po si ka mundësi që një popull me nivel më të ulët zhvillimi, ka mundur të arrijë një gjë të tillë? Si shpjegohet kjo?…


(Botuar në Beograd nga gazeta “Borba” në 12-13 gusht 1989 dhe në librin “Rusia dhe Kosova” të ambasadorit Shaqir Vukaj Fq 93)


Në këtë bisedë që vlen të ndërpritet tek pyetja “naive” e Stalinit mund të gjeni përgjigje të denja sot për të gjithë ata që hedhin baltë mbi kombin shqiptar… Po ashtu, vini re se linja “baske” e trajtimit të shqiptarëve nga Tito dhe diplomacia e Beogradit nuk ka ndryshuar as sot në “Platformën” serbe për Kosovën…
Dokumenti në fjalë është një rast i rrallë për një komb si shqiptarët. Ai të jep kënaqësinë e argumentit të një prove ku për shqiptarët është diskutuar në mungesë të tyre. Stalini në momentin për të cilin po flasim ishte një nga njerëzit më të fuqishëm në glob dhe Jugosllavia e sapodalë nga lufta ishte protagonistja e Ballkanit.
Rilindja e shqiptarëve si komb duam apo nuk duam fillon nga e shkuara. Kushti është që ta duam të kaluarën ashtu sic është, pa mbetur në qerthullin e pyetjeve të brezave të shkuar dhe në të moskuptuarin e kondicionit njerëzor, i cili mbetet po ai. Lidhja e të kaluarës me të tashmen kanë kryqëzimin e paqartësisë së vazhdimësisë dhe racionalitetit se historia e një kombi nuk aplikohet mbi një model të parashikueshëm.
Politika si produkt i historisë dhe diskutimi rreth saj ka një rregull të vjetër. Ai të “pëshpërit” se je kërkues dhe jo pronar i së vërtetës. Sigurisht!


                                                                                       Pandeli Majko
                                                                                       Gazeta TEMA

Marrëveshjes ndermjet Ahmet Zogut dhe kryeministrit serb, Nikolla Pashiç





Teksti i plote i Marrëveshjes ndermjet Ahmet Zogut dhe Kryeministrit Serb Nikolla Pashiç (marreveshje e nenshkruar ne vitin 1924 ne kembim te ndihmes qe serbet i dhane Zogut per tu rikthyer ne Shqiperi duke luftuar qeverine e F. Nolit)


1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.


2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njohë dinastinë Karagjorgjeviq.


3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njohë Ahmet Zogun si kryetar shteti …dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.


4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.


5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.


6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rusë të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.


7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerë jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve.


8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve.


9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.


10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.


11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe do t’i bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare, do të varet nga ajo Jugosllave.


12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.


13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.


14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.


15. Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.


16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve”.)

Marrëveshja Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924 …Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924, Citohet sipas Faton Mehmetaj, Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare, Prishtinë, 2004,f.207.

                                                                                                                   

                                                                                            Gazeta TEMA

Mehmet Shehu


















Sabit Brokaj:  Mehmet Shehu - shtetari më i fuqishëm në 100 vjet, arsyet pse vrau veten...


Sabit Brokaj, mjeku që ka ekzaminuar ish-udhëheqësit komunistë,  e veçon Mehmet Shehun nga të gjitha figurat më të rëndësishme që udhëhoqën Shqipërinë gjatë sistemit komunist, madje e quan shtetarin më të madh që ka pasur vendi ynë në 100 vitet e pavarësisë.
“Një politikan dhe një shtetar që sheh dështimin e kauzës, mbylljen e shtigjeve për të realizuar një ideal të caktuar, kur i cenojnë atij integritetin dhe personalitetin, ku shtetari është më normale të vrasë veten, sesa të të poshtërohet përpara të tjerëve. Këtu do t’ju kujtoj diçka nga ish- kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Francë, Pol Miljez, doktori francez. Ai ka qenë miku i Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Miljez analizon në një libër të tij vetëvrasjen e një politikani”, shprehet Brokaj për gazetën Panorama.
Ai pohon se padyshim ishte vetëvrasje dhe se autopsia: “i është bërë aq sa i është bërë nga mjekësia ligjore, por unë nuk jam nga ata që vijnë nga periferia. Kam qenë 20 metra larg kur ka ndodhur vetëvrasja”.
Ai shkruan se ka qenë mjek roje në vilën e Enverit, edhe pse nuk e ka dëgjuar të shtënën, pasi sipas tij ka qenë krismë e mbytur  pasi është bërë afër trupit.
“Nuk do të thotë të jesh prezent për të parë një akt. Në analizë në tërësi, kam bindjen se është vetëvrasje krejt e justifikuar”.
Sipas tij, kurrsesi nuk ka pasur ndërrim të personelit të Shehut. Këto, sipas tij, janë legjenda urbane.
Përsa i përket afërsisë me Mehmet Shehun, ai thotë se: “Ku ta gjeja që ta kisha mik, por ai ishte shumë lart nga unë. Unë isha mjek, ai kryeministër. Normalisht njiheshim, por jo ta kisha mik”.
Brokaj tregon se vetëvrasja e Mehmetit ishte krejt e papritur.
“Vetëvrasja e Mehmetit ishte njëkohësisht dhe rëndim i theksuar e i përshpejtuar i gjendjes shëndetësore të Enverit. Enveri vetë e ka përjetuar shumë keq vetëvrasjen e Mehmetit”.
Sipas tij, vetëvrasja e Mehmetit ka përshpejtuar vdekjen e Enverit.
“Unë mund të them që po. Duke ndjekur ecurinë e gravitetit të  patologjisë, ashtu besoj. Shkencërisht nuk e provon dot, por mendoj se vetëvrasja e Mehmetit përshpejtoi vdekjen e Enverit. Ishte shumë tronditëse për Enverin dhe e them me bindje që ai nuk e priste aktin vetëflijues të Mehmetit. Ndaj nuk u besoj asnjërës prej atyre skenave dhe teatrove që u përfolën më vonë duke e interpretuar vetëvrasjen e Mehmet Shehut si vrasje. Nuk kishte kohë për këto inskenime të Makbethit. Mehmet Shehu u vetëvra”.
Ai tregon se edhe detaje të sëmundjes së Enver Hoxhës, Shehu i ka mësuar shumë vonë.
“Ishte ngarkuar Hysni Kapo për të ndjekur ecurinë e Enver Hoxhës, dhe pas vdekjes së tij dosja i kaloi Mehmetit. Ndaj nuk mund të thuash që Enver Hoxha nuk kishte besim tek Mehmeti”, shpjegon ai.
Ai sqaron se më pas dosja iu kalua Ramiz Alisë.
Sipas tij, vetëvrasja e Mehmetit nga ana mjekësore konsiderohet si një akt depresiv.


                                                                                                               Gazeta       T E M A



 Takimet e Enver Hoxhës me Stalinin e Molotovin  

dhe eliminimi i Mehmet Shehut

                


Më 29 nëntor 1944, në të njëjtën kohë kryeministër i qeverisë së re, ministër i Mbrojtjes dhe i Jashtëm, Enveri bën diskutimin e parë në publik.
“Njeriu kyç i Beogradit në Shqipëri vazhdon të jetë Koçi Xoxe, i cili kishte postin e Sekretarit Organizativ të partisë dhe  ministër i Brendshëm që merret edhe me kontrollin e Sigurimit të Shtetit. Rivali kryesor i Hoxhës, ai pret që të vijë ora e tij”, shkruan Thomas Schreiber në librin “Enver Hoxha- sulltani i kuq”.
Më 23 qershor 1946, Hoxha bën një vizitë në Beograd dhe pati një takim miqësor me Titon, dhe pas atij takimi deklaroi se: “Është e preferueshme që Kosova t’u lihet jugosllavëve”, pasi sipas tij  banorët e këtij rajoni gëzonin një nivel jetese më të lartë.

Më 21 gusht 1946 merr pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, por rasti i Shqipërisë nuk i tërhiqte shumë kancelaritë e huaja, madje ai mëson se Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia nuk ishin dakord për futjen e Shqipërisë në OKB.
Më 1947, Eduart Kardelj, drejtues i diplomacisë jugosllave, pritet nga Stalini dhe tregohet i interesuar për Shqipërinë: “Por, çfarë përbuzje për këtë vend të vogël. Çfarë njerëzish  të prapambetur dhe primitivë janë shqiptarët, janë besnikë si qeni, por kjo është karakteristikë e primitivëve. Tek ne çuvaçët janë besnikë si qentë. Carët e Rusisë i merrnin për truproja”,” thotë Stalini.
Ndërsa pyetet nga Stalin për Enverin, Kardlj përgjigjet: “Në opinionin tonë është një njeri i mirë dhe i ndershëm, edhe pse ka karakteristikat e një borgjezi të vogël. Është popullor për shkak të sjelljes së tij gjatë luftës. Por nuk ka formim marksist-leninist. Njeriu që mund të jetë dora jonë është Koçi Xoxe, i cili vjen nga klasa punëtore”.
Më 23 mars 1947 Stalini pret për herë të dytë Hoxhën dhe darkojnë së bashku.
Molotovi drejton gotën dhe e shtyn Hoxhën të pijë. “Përse pini kaq pak. Ju dje pitë më shumë”. “Ah, dje ishte ndryshe,” ia kthen Hoxha.
Ndërkohë Molotovi kthehet nga Stalini dhe i thotë se Enveri  mësoi se do të bëhej baba me djalë.
“Urimet e mia më të mira,” iu përgjigj Stalini. “Le të pimë për shëndetin e djalit dhe gruas suaj”, vijon Stalini.
Por ndërsa në Moskë festohej, në Tiranë vazhdonin spastrimet e komunistëve, duke nisur nga Koçi Xoxe, shkruhet në libër.
Ndërkohë që përplasjet e brendshme vazhdojnë dhe Hoxhës i kishte hyrë frika e zëvendësimit. Ai eliminon Mehmet Shehun, me të cilin shoqërohej në çdo takim.
Sipas Departamentit të Shtetit, Enver Hoxha ishte shumë i kërcënuar dhe sovjetikët ishin gati ta zëvendësonin me Shehun.
Kurse ambasada franceze në Romë shkruante se Hoxha e kishte humbur një pjesë të autoritetit dhe mbahej në këmbë nga fraksioni stalinist ortodoks i Mehmet Shehut.
“Strategu i rezistencës, çliruesi i Tiranës, xhelati i opozitarëve, numri dy i regjimit u zhduk nga skena politike në rrethana të mistershme. Enveri hoqi qafe një njeri, i cili i ishte bërë i padurueshëm dhe me të cilin nuk ndante të njëjtin mendim për Kosovën dhe Perëndimin. Por për Hoxhën, që ishte i sëmurë rëndë nga diabeti, eliminimi i Shehut nuk ishte i mjaftueshëm. Ai duhet të tregojë që Shehu as që ka ekzistuar dhe për këtë zhduken të gjitha fjalimet e tij. Nga muzetë hiqen portretet, ndërsa Brigada e Parë Sulmuese nuk ekziston më.
Ndërkohë që vdekja e tij mbetet e mistershme edhe sot përballë versioneve të ndryshme,” shkruan Schreiber.
Schreiber shkruan edhe për dëshminë e Jonuz Lutos, që ishte shofer i Mehmet Shehut. Ai pohon se trupi i shefit të tij nuk kishte shenja plumbi dhe nuk e kishte pistoletën në dorë. Madje ai pohon praninë e një lëngu të çuditshëm, që nuk u analizua kurrë. Po ashtu nuk u bë as autopsia.
Jonuz Luto thotë se të vërtetën e dinë vetëm tre persona.


                                                                                       Gazeta TEMA


Misteret e pazbardhura të vdekjes së Mehmet 

Shehut



Tragjedia e mbrëmjes së 17 dhjetorit të 1981 në vilën e kryeministrit komunist Mehmet Shehu nuk është zbardhur asnjëherë. Dilema nëse e vranë apo vrau  veten ende mbetet një mjegullnajë.
Ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit, Kristofor Martiro, sjell edhe njëherë në vëmendje ngjarjen, duke treguar se ajo që ju bëri më shumë përshtypje në morinë e sendeve në dhomën e Mehmet Shehut, ishte një radio, por u provua që ishte një radiomarrëse dhe nuk kryente asnjë proces tjetër.

“Pikërisht te prania e saj e merr shtysën legjenda e Hoxhës, sipas të cilës, Shehu, në mënyrë permanente, komunikonte me nja radio marrëse-dhënëse me agjenturat e huaja. Fillimisht Enveri ishte informuar për ekzistencën e saj nga Hekuran Isai, dhe kjo i kishte mjaftuar për të dalë te qasja e tij”, pohon Martiro.
Ndërsa përsa i përket vrasjes apo vetëvrasjes, Martiro sjell në vëmendje kundërshtimet për versionin zyrtar të vetëvrasjes.
“I pari që e kundërshtoi versionin zyrtar për vetëvrasjen e Mehmetit ishte Llambi Ziçishti, asokohe ministër i Shëndetësisë. I pranishëm në vendngjarje që në momentet e para, ai ishte shprehur se kryeministrin  e kishin vrarë. Këtë e kishte konsumuar së pari me grupin e ekspertëve që këqyrnin kufomën, pastaj me rrethin e miqve dhe shokëve të besuar. Ky opinion i Ziçishtit pavarësisht se më vonë e tërhoqi nga presionet në qeli, më vuri në një lloj tundimi sa njerëzor, aq edhe profesional. Megjithatë, për rrethanat delikate ku punoja, nuk mund të shprehja as dyshimin më të vogël për atë që ishte saktësuar zyrtarisht”, tregon Martiro.
Martiro tregon se gjatë procesit të hetimeve, si ai, edhe grupi, kanë konstatuar prova të besueshme se kryeministrin e kishin vrarë.
“Këtë për mua nuk e luan topi, pavarësisht alibive të shumta që janë hedhur në treg gjatë kësaj periudhe”.
Sipas tij këtë e konfirmojnë: “Pamja e trupit të Shehut, shtrirë në krevat me syze, mbuluar me batanije deri në fyt, me duar të mbledhura mbi gjoks, me pistoletë mbi krahun e djathtë, nuk të afron kurrë në një situatë vetëflijimi. Nga përvoja ime, sasia e paktë e gjakut që pashë kur zbulova mbulesën e krevatit, më bindi edhe më shumë për idenë e një vrasje. Shumë vite më parë kur isha në Degën e Brendshme të Korçës, pata rastin të drejtoja grupin e ekspertëve që këqyrën trupin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, Zenun Shahollari, që kishte vrarë veten. Gjithçka në zyrën e tij ishte mbuluar me gjak. Në rastin e Shehut binte në sy vetëm një njollë gjaku. Po kështu, mënyra se si ishte regjistruar në akt-ekspertizë rruga që kishte përshkruar plumbi, të lë të kuptosh se kemi të bëjmë me manipulim të provave reale”, deklaro Martiro për gazetën Panorama.
Gjithashtu, argumente të forta për vrasjen sipas tij  janë edhe mosbërja e autopsisë dhe rivarrimi i kufomës së Shehut në rrethana misterioze. Sipas tij, edhe gota me çaj e gjetur mbi komedinë është ende sot e paekzaminuar në Arkivin e Shtetit, dhe një pistë e fortë për denatyrimin e ngjarjes është zhdukja e infermieres pa lënë gjurmë në vilën e kryeministrit.



                                                                                                         Gazeta TEMA



Skënder Shehu: Fillimisht besova se babai ishte 

vetëvrarë. Në Suedi studioja  me identitet të rremë...




Skënder Shehu, djali i dytë i Mehmet Shehut ka deklaruar në emisionin “Debat” të Roland Qafokut se fillimisht ka besuar se i ati është vetëvrarë.
Ai e përshkruan kështu babanë e tij: “Në vitet e para edhe unë kam pasur këtë perceptim. Ai ishte i rreptë kryesisht, apo më mirë të them impulsiv, por ama dinte të kërkonte edhe të falur. Por me kalimin e kohës kam kuptuar se nuk ishte vetëm i rreptë. Shpesh kur gjuanim me të, qëllonte që të takonim njerëz me pozita si sekretarë të parë të partisë dhe jam habitur se  biseda mes tyre ishte komunikuese dhe ai ishte i tillë me ta. Në këtë kuadër ai konceptohej si një nga at të linjë së ashpër, por duhet thënë se ai ka bërë edhe disa veprime nga më liberalet si p.sh në fundin e viteve ’60, ai dha urdhër që Blloku në Durrës të hapej për qytetarët. Kjo nuk ishte ndonjë gjë e madhe, por ama konceptin e Bllokut duket se nuk e pranonte ashtu siç ishte. Më pas kjo ndryshoi sepse Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu lajmëroi Enver Hoxhën dhe pas dy ditësh Blloku u mbyll. Gjithashtu kujtoj një teatër, siç ishte “Njolla të murrme”, gjatë të cilit unë kam qenë prezent kur ai e ka parë dhe e ka duartrokitur shumë, madje ka shkuar të takojë edhe aktorët. Unë vetë u befasova nga entuziazmi i tij, por disa ditë më vonë ajo u godit si vepër. Mund të them se edhe televizionet italiane, kur u panë nga të gjithë, ishin vepër e tij”.

Ai pranon akuzën e bërë ndaj të atit për shkrimin e një programi social-demokrat.
“Programin babi e ka shkruar kur ishte në Spanjë. Kishte ndenjur dy muaj në fshat dhe nuk kishte dijeni për krijimin e partisë. Unë programin e kam lexuar në hetuesi. Ai kishte paraqitur atje idetë e tij gjatë kohës që ishte në Spanjë dhe kur u dërgua në Francë në kampin e përqendrimit, më ka thënë që kishte marrë mësime marksizmi nga një gjerman ndaj dhe them se nën ndikimin e këtyre gjërave ai ka shkruar atë program. Sigurisht ai ishte një program më i mirë se sa një program i hartuar në influencën e jugosllavëve,” tregon Skënderi.
Për sa i përket vrasjes apo vetëvrasjes, Skënderi pohon se: “Fillimisht ishte versioni i vetëvrasjes dhe unë në fillim këtë version kam ditur, dhe mamaja ma kishte shpjeguar këtë. Por ndërkohë doli versioni tjetër që mund të jetë vrarë”.
Skënderi tregon se kur ka qenë me studime në Suedi nuk e njihnin si djali i kryeministrit të Shqipërisë.
“Aty isha regjistruar me emrin Arian Bogova. Në të gjitha dokumentet figuroja me këtë identitet”.
Sipas tij kjo kishte të bënte me sigurinë fizike, por pas vdekjes së Mehmet Shehut ai tregon se autoritetet e institutit ku ishte akomoduar shprehën dyshime për gjeneralitetet dhe pas tre vitesh u zbulua lajmi i bujshëm se pas studentit shqiptar fshihej Skënder Shehu, i biri i numrit dy të regjimit të Tiranës, që ndërroi jetë mbrëmjen e 17 dhjetorit 1981.
Kështu që të nesërmen e e vrasjes së të atit, ai rikthehet në Shqipëri me urdhër të Ministrisë së Brendshme dhe internohet së bashku me familjen në Cërrik të Elbasanit, ku u lirua më vitin 1991.


                                                                                                                           Gazeta TEMA


CIA dhe (vet)vrasja e Mehmet Shehut


Në arkivat amerikane në Uashington D.C tashmë gjenden një numër i madh dokumentesh me vlerë të madhe historike mbi Shqipërinë. Dokumentet e deklasifikuara, të cilat flasin mbi rolin e OSS (Shërbimi i Fshehtë Amerikan përgjatë Luftës së Dytë Botërore) si dhe mbi Operacionet Klandestine BGFIEND të periudhës 1949-1955. Me gjithë volumin e madh të këtyre dokumenteve, deri më tani nuk ka dalë asnjë material që të mund të bëjnë një lidhje të Mehmet Shehut, kryeministrit të famshëm komunist me Shërbimin Amerikan. Megjithatë duhet bërë një parantezë për këtë detaj të rëndësishëm.
Nëse Shehu mund të ketë bashkëpunuar me CIA-n amerikane pas viteve ‘50, këto dokumente janë ende të pa deklasifikuara. Nëse Shehu ka pasur lidhje me OSS amerikane gjate luftës, dokumentacioni duhet të jetë i deklasifikuar dhe mund të jetë i disponueshëm për studiuesit e kësaj fushe.
Deri me sot nuk ka asnjë dokument nga periudha e angazhimeve të OSS në Shqipëri ku Mehmet Shehu të jetë i implikuar. Kjo mungese dokumentacioni e vë në pikëpyetje të thellë akuzën kryesore që ish-kryeministri shqiptar ka pasur lidhje të hershme agjenturore me Shërbimet Amerikane.
Por lexuesit duhen sqaruar në disa pika të rëndësishme për të kuptuar akuzat që i janë bërë Mehmet Shehut.
Mehmet Shehu është akuzuar pas vdekjes nga Hoxha se duhet të jetë rekrutuar nga Harry Fultz gjate periudhës së studimit në Shkollën Teknike. Por historiografia komuniste, që i ka artikuluar këto akuza, nuk ka sqaruar se amerikanët deri në vitin 1941 nuk kanë pasur një shërbim të fshehtë që merrej me çështjet e politikës ndërkombëtare, operacione klandestine, rekrutime etj, ashtu siç është sot agjencia kryesore e zbulimit amerikan, CIA. Amerikanët deri në vitin 1941 kanë pasur një sërë zyrash të inteligjencës kryesisht me karakter ushtarak, të shpërndara në disa institucione si ushtria, flota, Departamenti i Shtetit etj. Historianët amerikanë pranojnë se shërbimet inteligjente amerikane ishin të një cilësie kaq të dobët sa edhe sot ekspertët e fushës komentojnë mbi nivelin e ulët të shërbimeve të inteligjencës amerikane, e cila nuk mund të parashikonte asnjë nga lëvizjet e rëndësishme në Europe, të ndërmarra nga gjermanët apo italianët. Në këtë kontekst duket shumë jorealiste ideja se një mësues amerikan, i dërguar në Shqipëri me fondete Kryqit të Kuq dhe të Fondacionit Rokfeler, të ishte i interesuar për të rekrutuar nxënësit e tij. Duke parë këtë dobësi të madhe të politikës ndërkombëtare amerikane, dhe duke pasur parasysh se amerikanët do të hynin shumë shpejt në fushën e luftës botërore, presidenti Ruzvelt nënshkroi urdhrin presidencial për krijimin e OSS, e cila u krijua pak a shume në modelin britanik të SOE.
OSS, e drejtuar nga ish-prokurori nga Bufalo, republikani Uilliam Donovan u kthye në një organizatë të rëndësishme gjatë luftës duke rekrutuar mjaft antinazistë në Europë dhe në Ballkan. A ishte Mehmet Shehu një i rekrutuar i mundshëm i OSS? Në dosjen personale të Harry Fultzit, e cila është tashmë e deklasifikuar, nuk ka asnjë dokument që të provojë se Fultz kishte lidhje me shërbimet e inteligjencës amerikane gjatë periudhës kur ai kryente rolin e drejtorit të Shkollës Teknike. Harry Fultz, ashtu si shumë amerikanë të tjerë, u rekrutua nga OSS gjate luftës dhe sidomos kur Donovan, shefi legjendar i OSS, e ktheu vëmendjen e tij drejt Ballkanit. Fultz dhe një numër shqiptaro-amerikanësh nga Korça dhe Shqipëria e jugut formuan Zyrën e OSS për Shqipërinë në 1943 duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në furnizimin e partizaneve të Hoxhës me armatime. Ishte kjo periudhe kur Harry Fultz iu drejtua të gjithë ish- nxënësve të tij si dhe profesorëve të dikurshëm të Shkollës Teknike për të ndihmuar në koalicionin antifashist dhe operacionet antigjermane në Ballkan. Po kështu sipas dëshmisë së ish- kapitenit të OSS që operoi në Shqipëri në ato vite Jim Hudson, pas 1943 Harry Fultz filloi të rekrutonte një rrjet informatorësh shqiptarë, të cilët potencialisht mund të përdoreshin prej OSS edhe pas lufte. Mirëpo në këtë periudhe Mehmet Shehu ishte një prej komandantëve më të famshëm të luftëtarëve guerile i dedikuar ndaj idesë komuniste dhe sigurisht një personazh shumë ambicioz për të ardhmen e tij. A do ta shikonte Shehu një bashkëpunim me amerikanët si një mundësi për ambiciet e tija personale në të ardhmen?   Në të gjitha memot apo kujtimet e oficerëve britanikë që shërbyen në Shqipëri gjatë luftës, Mehmet Shehu përmendet si personi i vetëm me njohuri ushtarake dhe aftësi komanduese në terren. Edhe pse disa prej britanikëve nuk e donin Shehun, në shënimet e tyre e respektonin atë për aftësitë e tij në fushën e betejës. Pranë komandës së Shehut u vendosën disa oficerë britanikë dhe amerikanë, por deri më sot nuk ka asnjë dokument që të provojë se Mehmet Shehu u rekrutua nga këta oficerë për shërbimet respektive.
Duke pasur parasysh se Shehu ishte vetëm një komandat gueril i panjohur jashtë Shqipërisë do të ishte normale që në raportimet e oficerëve amerikanë apo britanikë të përmendej emri i tij si bashkëpunëtor i mundshëm.  Harry Fultz mund ta ketë kontaktuar ish- nxënësin e tij të dikurshëm, por po e ritheksoj se nuk ka asnjë dëshmi dokumentare që Shehu të ketë pasur aktivitet në shërbim të OSS amerikane apo SOE britanike.
Oficeri i OSS me gradën më të lartë, Xhejms Hadson, i cili u hodh nga amerikanët, thekson se Harry Fultz e dërgoi atë pranë Shtabit të Përgjithshëm, pra pranë Enver Hoxhës dhe jo pranë Shehut, duke treguar kështu që Fultz i kushtonte vëmendje Hoxhës si lideri kryesor i luftës. Nëse Shehu do të ishte një bashkëpunëtor i Fultzit, sigurisht që amerikanet do të kërkonin që ta ndihmonin atë në ngjitjen e karrierës ushtarake.
Po kështu oficerët amerikanë të OSS që erdhën në Shqipëri ishin në përgjithësi fëmijë emigrantësh shqiptarë të emigruar nga Korça. Megjithëse shërbenin nën uniformën ushtarake përsëri ata kishin një marrëdhënie më normale me gueriljet shqiptare dhe nuk vinin në terren me arrogancën koloniale të oficerëve britanikë. A kishin këta emigrantë forcën e duhur për të rekrutuar një komunist të vendosur si Shehu? Në arkivin e OSS ku mund të gjesh emrat e të gjithë amerikano-shqiptarëve që shërbyen në Shqipëri të bien ne sy një detaj i rëndësishëm. Disa prej këtyre ish- oficerëve pasi janë larguar nga OSS në mbarim të luftës janë dyshuar si persona me simpati për komunistët shqiptarë. Megjithatë nëse do të kemi parasysh figurën e Mehmet Shehut, i cili vinte nga fushëbetejat e Spanjës, të bie në sy se ai ishte një komunist, i cili për idealin që besonte, sakrifikoi. Nëse do të ketë pasur kontakte me shërbimet e fshehta gjatë luftës së Spanjës, më e mundshme është kontakti me shërbimet sovjetike, të cilat rekrutonin masivisht nga radhët e Brigadave Internacionale që luftonin. Po kështu për një  ish luftëtar internacionalist, më e mundshme është kontakti me shërbimet franceze apo italiane, të cilat monitoronin kampet e luftëtarëve të Spanjës në Francë. Por mosha e re dhe fakti që ai nuk ishte person i rëndësishëm në lëvizjen komuniste e bënin atë një subjekt me jo shumë interes për këto shërbime. Fakti që ai luftoi pa mëshirë kundër italianëve të bën të besosh se nuk ka ekzistuar një lidhje me ta ose nëse ka pasur, duhet të jetë ndërprerë pa asnjë rezultat konkret.  Shehu, i influencuar nga ideali komunist dhe ambicia personale, duket se ka qenë më shumë i orientuar nga jugosllavët, të cilët influenconin vendimmarrjen e Partisë Komuniste shqiptare. Të paktën nga dokumentacioni në dispozicion shikohet qartë se Shehu iu bënte elozhe emisarëve jugosllavë pranë forcave partizane duke e nuhatur se jugosllavët ishin ata që kishin më shumë influencë në elitën komuniste shqiptare.


OPERACIONET BGFIEND 1949-1955

Ideja se operacionet anglo-amerikane kanë dështuar për arsye të Kim Filbit, është në fakt një nocion që vjen si rezultat i librit shumë interesant të Lordit Nikolas Bethell “Tradhtia e Madhe”. Megjithatë duhet pasur parasysh se koha e botimit dhe e kërkimeve arkivore nuk i kanë dhënë shumë mundësi Lordit Bethell të konsultohej me dokumente apo dëshmi tashmë të deklasifikuara. Kim Filbi sigurisht ka pasur një rol në Operacionet Britanike Valuable, pasi pozicioni i tij si ndërlidhës në Uashington i Shërbimeve Britanike dhe Zyrës së Koordinimit të Planifikimeve OPC, një njësi e operacioneve klandestine në politikë dhe psikologjinë e e shërbimeve amerikane. Kjo njësi e drejtuar nga Frenk Uizner dhe e kontrolluar nga Departamenti i Shtetit ishte njësia kryesore që drejtonte operacionet e fshehta kundër Shqipërisë së viteve ‘50-të.
Është shumë e mundshme që Filbi si personi kryesor i koordinimit britanik me amerikanët të ketë pasur informacion të mjaftueshem për operacionet që kryheshin në Shqipëri dhe t’ia ketë paraqitur këto plane sovjetikëve, të cilët sigurisht ishin shumë përpara amerikanëve në përgatitjen e masave mbrojtëse ndaj vendeve nën sferën e influencës komuniste.
NKGB, e cila më vonë mori edhe emrin e famshëm KGB, kishte në Shqipëri një grup mjaft cilësor oficerësh, të cilët ndihmuan shërbimin e fshehtë shqiptar për të kapur apo kontrolluar numrin më të madh të agjentëve të fshehtë që hidheshin në rrugë të ndryshme. Nuk ka asnjë mëdyshje të pranojmë faktin se sovjetiket ishin të mirëinformuar mbi planet e shërbimeve kryesore perëndimore ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Lindjes. Por duke pasur parasysh nivelin e lartë të Filbit në hierarkinë e shërbimit anglez si dhe mundësinë që një ditë Filbi mund të merrte drejtimin e këtij shërbimi është e pamundur që sovjetikët të përdornin informacionet e tij për të dëmtuar planet britanike dhe amerikane në Shqipëri.
Kim Filbi ishte një agjent shumë i rëndësishëm dhe nuk mund të digjej për një vend të vogël si Shqipëria. Prandaj mendimi se nuk ka qene Filbi personi që ka shkatërruar operacionet amerikane, por një apo më shumë agjentë të tjerë të penetruar në shërbimin anglo-amerikan ka filluar të pranohet nga ekspertët e fushës, të cilët po rishikojnë të gjithë historinë e Shërbimeve Sekrete gjatë Luftës së Ftohtë.
Po kështu duhet thënë se detajet e operacioneve që amerikanët kryenin në Shqipëri koordinoheshin dhe vendoseshin nga zyrat e OPC në terren, pra në Itali, Athine apo në Gjermani. Për Kim Filbin, i cili operonte nga Uashingtoni, ka qenë e pamundur që të kishte dijeni mbi këto detaje operacional, të cilat shpeshherë ndryshoheshin në momente të caktuara për shkaqe të ndryshme. Dështimi i operacioneve amerikane duhet kërkuar në thellësinë e arkivave sovjetike dhe ato të inteligjencës shqiptare, të cilat akoma edhe sot  ndodhen të pahapura për studiuesit e fushës.
Nga dëshmi të pakta të mbledhura në arkivat amerikane duket se amerikanët kanë qenë shumë dyshues në rolin e elementeve të caktuar të mërgatës shqiptare. Ata mendonin se jo vetëm mërgata ishte penetruar nga agjentë sekretë shqiptarë, por edhe kampet e trajnimit kishin në gjirin e tyre njerëz të dërguar nga shërbimi i fshehtë komunist. Dyshimi bie edhe mbi disa elementë të huaj, të cilët gjatë luftës kishin pasur simpati për grupet guerile komuniste. Këta elemente, të cilat gjatë luftës kishin ndihmuar operacione angleze apo amerikane duke furnizuar me armë partizanet në Ballkan tashmë shikonin se për një kohë të shkurtër këta aleatë ishin kthyer në armiq. Duke pasur parasysh kontekstin e kohës duhet thënë se disa oficerë britanikë apo amerikanë të shërbimeve të fshehta kishin simpati të fshehur për ish miqtë e tyre guerilas. Është normale që këta elementë të shikohen me shumë dyshim nga historiografia perëndimore si njerëz, të cilët mund të kenë dhënë informacione kundër operacioneve të fshehta.
Me shumë interes mund të studiohet aktiviteti i disa ish oficerëve të OSS në Shqipëri, të cilët pas luftës u hoqën nga shërbimi amerikan. Po kështu ekspertë të fushës së historisë sekrete kanë parë me dyshim rolin e një prej oficerëve britanikë në kampin e stërvitjeve në Malte, Robert Zaehner, i cili mund të ketë pasur një rol në informacionin e dhënë për agjentët shqiptarë, të cilët hynin nga kufiri grek. Dyshime të cilat deri më sot nuk janë dokumentuar. Edhe sot e kësaj dite është shumë vështirë të analizosh dëmin që Filbi mund t’i ketë bërë operacioneve shqiptare pasi dëshmitë e disa prej drejtuesve të OPC e përjashtojnë kategorikisht mundësinë e njohjes nga Filbi të detajeve operacionale në terren. Fatkeqësisht këta drejtues kanë lënë shumë pak shënime për këto operacione duke e bërë të vështirë analizën mbi rolin e tyre në planet e rrëzimit të qeverisë komuniste në Shqipëri.


Mehmet Shehu dhe operacionet BGFIEND

Pas luftës dihet mirë fati i komandantit të Brigadës së Parë, i cili qëndroi i mënjanuar nga ngjarjet kryesore të asaj periudhe. Kuptohet se jugosllavet ndërmjet tij dhe Xoxës kishin përzgjedhur këtë të fundit për t’iu shërbyer interesave të tyre në Shqipëri. Xoxe, një personazh pa shume personalitet në fushën e luftës, por i mbështetur fuqimisht nga jugosllavët, ishte njeriu i duhur për ta. Shehu, një njeri ambicioz, por kokëfortë dhe i pakontrollueshëm, u mbajt në distance nga jugosllavët duke ngjallur zemërimin e tij ndaj tyre. Me disa mungesa nga teatri politik i Tiranës, Shehu ndërmori disa kurse trajnimi në Bashkimin Sovjetik dhe nuk ka pse të mos mendohet se ishte kjo periudhë kur ai duhet të jetë kontaktuar apo rikontaktuar nga Shërbimet Sovjetike të Inteligjencës. Një kontakt që nga koha e Luftës së Spanjës? Ndoshta arkivat ruse një ditë do të sjellin më shumë informacion mbi këtë periudhë të panjohur të Mehmet Shehut, por deri më atëherë mund të supozojmë se ishte mbështetja edhe e shërbimeve  sovjetike që e rikthyen atë në lojtar kryesor në Shqipërinë post- Xoxe. Fakti që Shehu konsiderohej si një prej besnikëve pro-sovjetik të udhëheqjes shqiptare, nuk ka përse të mendohet si një arsye vetëm për karrierë. Ishte kjo periudhë, e cila përkoi me fillimin e operacioneve klandestine amerikane BGFIEND dhe britanike VALUABLE. Në postin e Ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu drejtonte personalisht operacionet e kundërzbulimit ndaj amerikanëve dhe britanikëve.
Lind pyetja, nëse Shehu ishte njeriu i amerikanëve apo i britanikëve, i rekrutuar nga Harry Fultz, përse operacionet klandestine të OPC patën një rezultat aq negativ për amerikanët dhe britanikët? Përse amerikanët nuk patën mundësi që me ndihmën e Ministrit të Brendshëm të rrëzonin Hoxhën dhe në vend të tij të vendosnin Shehun? Nëse Ministri i Brendshëm shqiptar ishte njeri i rekrutuar nga amerikanët, a nuk do të ishte ky një informacion shumë i rëndësishëm që Filbi duhet t’ua përcillte KGB-së sovjetike? Fakti që KGB ishte mbështetësi kryesor i Shehut në operacionet e kundërzbulimit tregon se rusët nuk patën asnjëherë dyshim mbi besnikërinë e Ministrit të Brendshëm shqiptar.
Ja se çfarë sjellin dokumentet amerikane për këto pyetje.
Michael Burke, një prej oficerëve të OPC, përgjegjës për operacionet shqiptare, në shënimet e tij mendon se suksesi i shërbimit të fshehtë shqiptar ishte ideuar dhe ekzekutuar nga një emër i përveçëm, Mehmet Shehu, Ministri i Brendshëm, i cili sipas amerikanëve drejtonte personalisht çdo operacion kundër përpjekjeve të tyre për të penetruar Shqipërinë. OPC mendonte se Ministri i Brendshëm shqiptar është kyçi i suksesit. I trajnuar nga KGB sovjetike në metodat e kundërzbulimit, Mehmet Shehu sipas amerikanëve drejtonte personalisht operacione kundërzbulimi apo radiolojat e famshme, të cilat sollën për herë të parë për publikun e gjerë në Perëndim lajmin se shërbimet e fshehta perëndimore organizonin operacione klandestine në këtë vend të vogël malor në Ballkan. Mehmet Shehu, i ndihmuar nga dy këshilltarë të lartë të KGB sovjetike dhe një numër oficerësh, arrin të thyejë çdo operacion amerikan dhe duke dekurajuar jo vetëm mërgatën shqiptare, e cila mendonte se mund të thyente regjimin e Hoxhës me ndihmën amerikane, por edhe vetë shërbimet perëndimore. Shënimet e Michael Burke, një prej njerëzve që ka operuar në terren kundër shërbimit të fshehtë shqiptar janë të rëndësishme për të kuptuar mendimin amerikan ndaj oponentëve të tyre shqiptarë.
Por shënimet e oficerit Burke sjellin edhe një dëshmi befasuese, e cila mund të sqarojë përfundimisht faktin se Mehmet Shehu nuk ka pasur lidhje me amerikanët. Duke ndjekur këto shënime shumë të pakta të Michael Burke   mbi rolin e tij në operacionet shqiptare, më ranë në dorë materialet e dhuruara prej familjes së tij për një prej arkivave amerikane.
Të pabotuara kurrë dhe të panjohura për studiuesit, shënimet e mbajtura me  shkrim dore përmendin një operacion deri më tani të panjohur dhe të padokumentuar nga arkivi i deklasifikuar i OPC/CIA-s. Nëse ky operacion ka ekzistuar në të vërtetë, fakti që nuk ka asnjë dokument të deklasifikuar flet mbi rëndësinë e madhe që ka pasur ky plan dhe fshehtësinë e tij në atë kohe. Michael Burke në shënimet e tij përmend faktin se OPC kishte planifikuar të eliminonte personin, i cili po i sillte dështime kaq të mëdha agjencisë së zbulimit amerikan, Ministrin e Brendshëm shqiptar, Mehmet Shehun.
Burke, i cili operonte nga baza e tij në Itali dhe Gjermani Perëndimore dhe fluturonte shpesh në Athinë për të kontrolluar operacionet klandestine në terren, përmend faktin se për këtë operacion, OPC kishte sjellë një oficer me gradën major të forcave speciale amerikane në Greqi. Një avion i vogël zbulimi ishte vënë në dispozicion të këtij oficeri misterioz, i cili kishte ne dispozicion një grup shumë të vogël shqiptarësh, të trajnuar në bazën sekrete amerikane në Gjermani.
Ky operacion kishte si mision eliminimin e Mehmet Shehut. Për këtë mision sekret nuk ka shumë informacion dhe nuk është e qartë nëse ka qenë nën komandën e grupit të ndihmës ushtarake në Greqi apo nëse misioni ushtarak pranë ambasadës të ketë pasur dijeni.  Fatkeqësisht Michael Burke në ditarin e tij nuk përmend më asnjë fakt për të na dhënë më shumë detaje nga operacioni sekret përveçse grupi i vogël i OPC ishte i gatshëm në çdo moment për tu parashutuar në brendësi të territorit shqiptar për të vrarë Shehun.
Përse ky operacion nuk pati dritën jeshile, nuk kemi asnjë të dhënë, por supozimi më i mundshëm është se lëvizjet e Shehut, të cilat duhet të jenë monitoruar nga ndonjë agjent i OPC në radhët e shqiptarëve nuk ju ka dhënë mundësi grupit të atentatorëve për t’i zënë pritën e dëshiruar.
Një dokument tjetër RG84, i gjendur në arkivin amerikan, i cili flet mbi atmosferën e zyrave amerikane të OPC, Operacioni BGFIEND si dhe oficerët përgjegjës  në Athinë, Horace “Hod” Fuller dhe Bill Brummell, të cilët ishin vartësit e Michael Burke, nuk përmend ndonjë grup të dërguar me mision special. Fuller, i cili ishte përgjegjës për vendet sekrete ku mbaheshin  agjentët shqiptarë dhe operonte nga zyra e vendosur në godinën e Tamios, në katin e 5-të, përmend mjaft detaje nga këto operacione, por nuk ka lënë dëshmi për vrasjen e Ministrit të Brendshëm shqiptar. Nëse ai ka pasur apo jo dijeni, nuk është shumë e qartë, por operacioni i përmendur në një ditar privat të oficerit Burke mund të jetë shumë i mundshëm nëse marrim parasysh faktin që Burke nuk ka pasur qëllim publikimin e këtij ditari dhe krijimin e një operacioni të paqenë.
James McCargar, ish- shefi i parë i operacioneve BGFIEND, i cili u nda nga jeta vitet e fundit. në shënimet e tij private edhe ato të pabotuara nuk përmend asnjëherë nëse ai ka pasur dijeni për ndonjë bashkëpunim të mundshëm të drejtorisë që ai drejtonte dhe Ministrit të Brendshëm shqiptar. McCargar, i cili vinte në OPC nga një shërbim sekret paralel me OPC, i njohur si “The Pond”, dhe drejtuar nga zyra G-2 e James Grombach, ishte një oficer i rëndësishëm. Zyra që ai drejtonte dështoi në operacionet e infiltrimit në Shqipëri dhe për këtë ai bën përgjegjës sovjetikët, të cilët ndihmuan shërbimin shqiptar, të drejtuar nga Shehu. Mçargar dhe shefi i tij, Frenk Uizner Sr, ishin të detyruar që të mbyllnin operacionet shqiptare me një bilanc negativ, duke pranuar në heshtje se shërbimi shqiptar, i drejtuar nga Shehu kishte arritur të fitonte. Është jashtë logjikës që Frenk Uizner, një nga personat më me influencë të CIA-s të sakrifikonte këto operacione më qellim që të ndihmonte karrierën e Mehmet Shehut. Misioni amerikan ishte shumë i thjeshtë. Rrëzimin e Hoxhës dhe vendosjen e një njeriu pro-amerikan në krye të Shqipërisë. Nëse Shehu ishte njeriu i duhur, përse amerikanët duhet të linin në pushtet Hoxhën me idenë se pranë tij kishin njeriun e tyre?  Mehmet Shehu ishte njeriu më besnik i Hoxhës dhe një nga komunistët ekstremistë shqiptarë, i cili me dorë të hekurt shtypi çdo kundërshtar politik. Ishte e pamundur që amerikanët të kenë pasur si bashkëpunëtor një personalitet të tillë dhe të kenë toleruar ekstremizmin e tij në eliminimin e elementëve pro- perëndimore.


VDEKJA E SHEHUT

Vetëvrasja apo vrasja e Mehmet Shehut vazhdon edhe sot të intrigojë me misterin e vet të gjithë ata historianë dhe gazetarë që janë marrë me këtë çështje. Me gjithë dëshmitë e një sërë njerëzish në shërbim të tij asokohe, akoma edhe sot nuk kemi një ide të qartë se çfarë ndodhi atë natë dhjetori në Tiranë. Dëshmitarët kyç tashme janë shumë të paket dhe mjegulla që e rrethon këtë vdekje e bën atë akoma më intriguese. Në morinë e dëshmive, fakteve dhe analizave të bëra për këtë vdekje do të doja të shtoja dy fakte shumë interesante, të cilat janë të panjohura dhe vijnë si dëshmi të shkruara nga Zelanda e Re, vendi ku u përgatit “grupi i njohur i Xhevdet Mustafës”.
Halit Bajrami, i njohur si një prej pjestarëve të këtij  “grupi”, që erdhi për atentatin e supozuar ndaj Enver Hoxhës, ka lënë një ditar personal, i cili tashmë ruhet nga familja. Në ditar ka shënime shumë interesante të periudhës së aktivitetit të tij në radhët e partizanëve si dhe kombinacionin e krijuar nga shërbimi shqiptar për ta hedhur atë me mision jashtë Shqipërisë në fillimin e viteve 50-të. Në morinë e shënimeve të Halit Bajramit janë dy fakte me shumë interes, që kanë një lloj lidhje me “vdekjen” e Mehmet Shehut.
Halit Bajrami dëshmon se në shtatorin e vitit 1981 ka filluar planifikimin e grupit për të ardhur në Shqipëri. Kjo dëshmi mbështetet edhe nga oficeri i SIS të Zelandës së Re, James Fogarti, i cili ishte një nga pjestarët e grupit të shqiptareve që përgatiti armët për atentatin e supozuar ndaj Enver Hoxhës.
Pra. gati tre muaj përpara “vetëvrasjes së Mehmet Shehut” në Zelandën e Re një celule e Sigurimit të Shtetit merr urdhër për të organizuar një vrasje politike në Shqipëri. Përgatitja e Halit Bajramit dhe porositja për armë kaq përpara kësaj vdekje me përmasa të rënda për Shqipërinë tregon se përgatitjet për një eliminim politik në Shqipëri kishin filluar shumë më përpara se mbledhja e famshme e Byrosë për problemin e Shehut. Deri më tani një pyetje ka mbetur ende pa përgjigje: A ishte kjo celulë e shërbimit sekret shqiptar e përgatitur nga Shehu apo nga njerëz pranë Hoxhës? Ne intervistën e James Fogart, agjentit të SIS neozelandez dhënë përpara disa viteve në Top Channel, të bie në sy fakti se shërbimet perëndimore ishin në dijeni të këtij grupi shqiptarësh, të cilët pretendonin se do të vrisnin liderin jetëgjatë shqiptar, Enver Hoxha.
Nëse ky grup ishte thirrur për ndihmë nga Mehmet Shehu apo jo, fakti është se Halit Bajrami ishte një zbulues shqiptar i infiltruar në Perëndim në vitin 1951, kohë kur këto operacione i drejtonte Shehu. A ishte Bajrami besnik i ish- shefit të tij të dikurshëm apo tashmë punonte për një rreth më të ngushtë të Hoxhës? Fakti që Bajrami, pasi dëshmoi në gjyqin e Kadri Hazbiut u la i lirë për tu kthyer në Zelandën e Re tregon se Bajrami mund të kishte ndryshuar krahët dhe të ishte përdorur në një operacion shumë të komplikuar ku me gjithë kujdesin shumë të madh për të mos rënë në sy, duken gjurme e zbulimit jugosllav.
Në ditarin e Halit Bajramit gjithashtu përmendet një e dhënë me shume interes. Bajrami thotë se njerëz të Sigurimit të Shtetit kanë tentuar ta helmojnë në ambientet e burgut ku qëndronte gjatë hetuesisë dhe për këtë arsye e zhvendosen në një hotel ku ruhej 24 orë. Mirëpo përpara transferimit të tij nga burgu, Bajramin e ka vizituar në dhomën e tij dy herë një mjek shumë i njohur në Tiranë. Bajrami thotë se mjeku erdhi me porosi të një rrethi të ngushtë sekret të elitës komuniste, e cila operonte jashtë strukturave të shërbimit sekret shqiptar. Takimi i Bajramit me mjekun e njohur dhe biseda e tyre e bën akoma më të komplikuar misterin e vdekjes së Mehmet Shehut dhe pasardhësit të tij në zyrën e policisë sekrete, Kadri Hazbiu.



                                                                                              Auron Tare
                                                                                             Gazeta TEMA